Në Shqipëri, roli im i fundit ishte Cluster Manager. Drejtoja operativisht një flagship store në Tiranë dhe koordinoja pjesë të rrjetit të dyqaneve. Në Gjermani, puna ime e parë ishte të shpërndaja pako.

Me këtë kontrast nis seria "Dhjetë vite pranë punës". Nuk e nis për ta bërë dramë, as për të treguar një histori emigrimi. E nis sepse pa të nuk kuptohet asgjë nga ç'do të shkruaj më pas: si mendoj kur kam një problem operacional përpara, si drejtoj njerëzit dhe pse i shoh proceset nga të dyja anët.

Flagship store-in nuk e mora gati. Mora pjesë në ndërtimin e tij nga zero deri në hapje, duke koordinuar arkitektë, marangozë, bojaxhinj dhe ekipet e zbatimit. Pastaj erdhën shitjet, standardi i shërbimit, eksperienca e klientit, organizimi operacional dhe ekipi: tetë shitës, katër arkëtare dhe një asistente. Ndërtuam faqen e parë të shitjeve online të kompanisë dhe ekipin e saj të parë të e-commerce. Në të njëjtën periudhë rrjeti u ristrukturua. Dy dyqane me performancë të dobët u mbyllën dhe aktiviteti u përqendrua më shumë te flagship-i.

Para kësaj, si General Sales Manager te një distributor pajisjesh shtëpiake, kisha drejtuar shitjen me shumicë: një rrjet me 61 rishitës aktivë dhe një strukturë ku hynin magazina, shitjet B2B, kontabiliteti, teknika dhe shërbimi ndaj klientit. Para se të largohesha nga Shqipëria, isha mësuar të merrja vendime, të drejtoja njerëz dhe të mbaja përgjegjësi për rezultatet e biznesit.

Pastaj erdhi Gjermania, dhe me të një listë punësh që nuk i fsheh.

Nga nëntori 2021 deri në qershor 2022 punova për një kompani dorëzimesh në last mile: nisa si shpërndarës pakosh dhe më pas kalova në dispeçim. Nga korriku 2022 deri në prill 2023 punova si steward në një hotel. Në maj 2023 fillova si night auditor në një hotel në Frankfurt. Nga dhjetori 2023 deri në tetor 2024, krahas night audit-it, shpërndava përsëri pako, dhe nga tetori 2024 deri në janar 2025 punova si ndihmës në kujdes (Pflegehelfer). Në janar 2025 u ktheva në last mile, këtë herë si Team Leader On Road. Në qershor 2025 u bëra Area Manager.

Nuk kam asnjë arsye t'i fsheh punët si shpërndarës pakosh, steward apo Pflegehelfer. Përkundrazi. Pa to, rruga e kthimit në management nuk kuptohet.

Në Shqipëri drejtoja njerëz, dyqane dhe procese. Në Gjermani duhej të merrja furgonin, të bëja rrugën, të respektoja kohën dhe procesin, dhe ta kryeja punën si çdo punonjës tjetër. Nuk kishte më rëndësi çfarë titulli kisha pasur. Aty ishte zeroja e vërtetë. Jo sepse eksperienca ime ishte zhdukur, por sepse askush nuk kishte detyrimin të ma njihte vetëm nga e kaluara ime.

Disa gjëra më ndihmuan menjëherë, sepse nuk varen nga titulli: disiplina operative, marrëdhënia me klientin, aftësia për ta kuptuar një proces dhe për të parë ku ka waste, puna nën presion dhe gatishmëria për të marrë përgjegjësi. Kisha kaluar nga retail-i te shitja me shumicë, nga drejtimi i dyqanit te magazina, te shitjet B2B, te e-commerce dhe te drejtimi i ekipeve. Kjo më ndihmoi t'i kuptoja shpejt edhe industritë e reja.

Një gjë duhej ta lija pas: idenë se eksperienca e mëparshme të garanton automatikisht të njëjtin pozicion në një vend të ri. Nuk mund të thosha "kam qenë manager, prandaj duhet të jem manager". Sistemin duhej ta mësoja nga brenda, nga niveli operacional. Duhej ta provoja përsëri.

Me gjuhën ndodhi e njëjta gjë. Kur erdha, gjermanishtja nuk ishte gjuha ime e punës, dhe më është dashur ta ndërtoj ndërkohë që punoja. Në vitin 2025 dhashë provimin Deutsch-Test für Zuwanderer, niveli B1: 45 nga 45 në dëgjim dhe lexim, 15 nga 20 në shkrim, 97 nga 100 në të folur. Gjuhën nuk e prita të bëhej perfekte që të filloja të ecja profesionalisht. Punoja, komunikoja dhe mësoja njëkohësisht.

Ajo që fitova në këto vite nuk ishte vetëm gjuha. Pashë punën nga ana e personit që duhet ta zbatojë procesin.

Si shpërndarës pakosh e kupton ndryshe çfarë do të thotë koha, itinerari, presioni, një proces që nuk funksionon ose një vendim që e merr dikush që nuk është në terren. Si steward e sheh hotelin nga një nivel krejt tjetër: punë fizike, ritëm, bashkëpunim mes departamenteve, dhe sa shumë varet eksperienca e mysafirit nga njerëz që ai mund të mos i shohë kurrë. Si night auditor pashë një anë tjetër: çfarë mbetet pas një dite pune kur të tjerët kanë ikur. Gabimet, pagesat, raportet, ankesat, no-show-t, kontrollet dhe handover-i.

Kur u ktheva në leadership në last mile, nuk po drejtoja njerëz vetëm nga teoria. Kisha qenë vetë në anën tjetër të procesit. Këtë do ta gjeni pas çdo eseje të kësaj serie.

Nëse dikush që ka qenë shef më pyet si të nisë nga e para, nuk do t'i thosha se është e lehtë. Do t'i thosha të mos e ngatërrojë humbjen e titullit me humbjen e vlerës së vet profesionale. Titulli mund të humbasë brenda një dite, kur ndryshon vend, kompani apo industri. Ajo që ke mësuar nuk humbet.

Por ka një kusht. Mos hyr në punën e re duke kërkuar që të tjerët të respektojnë atë që ke qenë. Fillo të tregosh çfarë di të bësh aty ku je. Unë kalova nga drejtimi i njerëzve dhe i bizneseve në Shqipëri te shpërndarja e pakove dhe puna si steward në Gjermani, pastaj te night audit-i, te Team Leader dhe te Area Manager. Po të kisha menduar se disa punë ishin poshtë meje, ndoshta nuk do ta kisha mësuar kurrë atë që më duhej për t'u ngritur përsëri.

Mos u kap pas karriges që kishe. Mbaj me vete atë që ke mësuar duke qenë ulur në të.