Në këtë ese
  1. Në hotel: kush e merr, kush e zgjidh, kush e mbyll
  2. Në miljen e fundit: zinxhiri para shoferit
  3. “E njoftova” nuk mjafton
  4. Statusi, përgjegjësia, konfirmimi
  5. Pyetja e parë
  6. Harta e kalimeve

Një departament mund ta bëjë punën e vet shumë mirë, dhe operacioni prapë të dështojë. Kjo ndodh kur askush nuk sheh çfarë ndodh mes dy departamenteve.

Brenda një ekipi zakonisht dihet kush bën çfarë. Ka një përgjegjës, një standard, një ritëm. Por puna rrallë mbetet brenda një ekipi të vetëm. Ajo kalon nga recepsioni te mirëmbajtja, nga përgatitja te rampa, nga rampa te shoferi, nga turni i natës te turni i mëngjesit. Pikërisht në këto kalime, aty ku puna ndërron duar, humbasin shumë gabime.

Në hotel: kush e merr, kush e zgjidh, kush e mbyll

Në hotel, kalimi më i dukshëm për mua ishte mes recepsionit, shërbimit të katit dhe mirëmbajtjes.

Kam pasur raste kur një mysafir raportonte problem me presionin e ujit në dush: recepsioni e merrte ankesën, por zgjidhja teknike i takonte mirëmbajtjes. Në një rast tjetër një banjë nuk ishte pastruar siç duhej, dhe problemi duhej ndjekur me shërbimin e katit.

Në raste të tilla dalloj tri përgjegjësi të ndryshme:

  • kush e merr informacionin;
  • kush e zgjidh problemin;
  • kush kontrollon që çështja është mbyllur.

Shpesh këta janë tre njerëz të ndryshëm. Dhe nëse për të tretën nuk përgjigjet askush, problemi mund t'i jetë “kaluar” departamentit të duhur, por mysafiri nuk e di nëse është zgjidhur. As ne.

Një kalim tjetër i rëndësishëm ishte ai mes turneve. Night Audit merrte çështje të hapura nga turni i mëparshëm dhe duhej t'ia kalonte turnit të mëngjesit ato që nuk ishin përfunduar. Për këtë kam shkruar më gjatë te eseja për dorëzimin e turnit.

Në miljen e fundit: zinxhiri para shoferit

Në miljen e fundit, pikat e kalimit ishin edhe më të dukshme. Outbound përgatiste porositë; magazina dhe rampa kishin pjesën e tyre në organizimin fizik; Last Mile koordinonte nisjen; shoferët e DSP-ve merrnin përgjegjësinë për transportin dhe dorëzimin.

Kam trajtuar raste me çanta që mungonin ose mbërrinin me vonesë, karroca të organizuara keq, ngarkesa të përziera dhe vonesa gjatë ngarkimit.

Një shembull është mungesa e një çante gjatë ngarkimit. Rregulli ishte që shoferi të njoftonte Team Leader-in dhe të priste sipas procedurës, pa e nxjerrë karrocën nga zona e caktuar. Ky rregull e zgjidh çastin, por për mua problemi duhet parë edhe më herët në zinxhir.

Nëse shoferi është gati, por porosia nuk është e plotë, vonesa shfaqet në nisje, dhe në raport mund të duket si vonesë e shoferit. Kjo nuk e bën automatikisht shoferin shkaktar. Një vonesë mund të ketë disa shkaqe: përgatitja e vonuar, çantat që mungojnë, organizimi i rampës ose gatishmëria e shoferit.

Një gabim mund të matet në një vend dhe të ketë lindur në një tjetër. Prandaj, kur shoh një KPI negative, nuk do të nisja duke kërkuar fajtorin. Fillimisht do të përpiqesha të kuptoja në cilën pikë të procesit filloi devijimi. Është e njëjta logjikë si te Pareto dhe 5 Why: numri të tregon ku ta kërkosh problemin, jo kush e shkaktoi.

Ku lind një gabim dhe ku matet

  1. 01PërgatitjaNjë çantë shkon në karrocën e gabuarlind këtu
  2. 02RampaKarroca ngarkohet siç është
  3. 03ShoferiDorëzon atë që ishte në furgon
  4. 04KlientiIncomplete = 1, në emër të shoferitmatet këtu
Puna ndërron duar tri herë para se të shkruhet numri. Vendi ku matet gabimi nuk është domosdoshmërisht vendi ku lindi.

“E njoftova” nuk mjafton

Për mua, një kalim i mirë duhet të qartësojë dy gjëra: kush përgjigjet për ta dorëzuar punën dhe kush përgjigjet për ta pranuar.

Nuk mjafton që departamenti i parë të thotë: “E njoftova.” Duhet të jetë e qartë nëse departamenti tjetër e ka marrë përsipër çështjen, çfarë pritet të bëjë dhe nëse ka një afat.

Informacioni i dërguar nuk është gjithmonë informacion i marrë. Dhe një problem i raportuar nuk është domosdoshmërisht problem i zgjidhur.

Prandaj gabimet mes departamenteve kapen kaq vështirë. Parë nga brenda, secili ekip e ka bërë pjesën e vet. Njëri e dërgoi informacionin. Tjetri nuk e mori, ose e mori pa kuptuar çfarë pritej prej tij. Dhe për hapësirën mes tyre nuk përgjigjej askush.

Statusi, përgjegjësia, konfirmimi

Në hotel, një dorëzim i strukturuar i turnit kishte shumë rëndësi. Nëse një problem nuk zgjidhej gjatë natës, duhej të mbetej i dokumentuar dhe i dukshëm për turnin tjetër. Prandaj doja që shënimet të tregonin, krahas asaj që kishte ndodhur, edhe çfarë ishte ende e hapur.

Në miljen e fundit ndihmonin procedurat e qarta të njoftimit, kontaktet me Team Leader-at dhe koordinimi mes Last Mile, Outbound dhe DSP-ve.

Sipas meje, tri gjëra vendosin në çdo kalim:

  • Statusi: ku ndodhet realisht puna?
  • Përgjegjësia: kush duhet të veprojë tani?
  • Konfirmimi: si e dimë që kalimi është kryer?

Një telefonatë mund ta zgjidhë urgjencën. Kur çështja kërkon ndjekje, duhet të mbetet edhe një gjurmë e qartë për njeriun ose ekipin që e merr më pas.

Pyetja e parë

Nëse një gabim përsëritet mes dy ekipeve, nuk do ta nisja me “kush gaboi?”. Pyetja ime e parë do të ishte:

Në cilën pikë puna ndërroi duar, dhe çfarë informacioni humbi gjatë atij kalimi?

Pastaj do të shihja nëse të dy ekipet e kuptonin njësoj se çfarë duhej dorëzuar. A kishte një standard të qartë? A ishte puna vërtet gati për ekipin tjetër? A u konfirmua marrja? A përgjigjej dikush në rast problemi?

Nëse këto pyetje nuk kanë përgjigje, kemi një proces ku gabimet mund të përsëriten, sado të mirë të jenë njerëzit.

Harta e kalimeve

Në miljen e fundit kam parë sa shpejt një problem në përgatitje mund të dalë si vonesë në nisje. Në hotel kam parë sa e rëndësishme është t'ia kalosh ankesën departamentit që mund ta zgjidhë dhe të dokumentosh atë që mbetet e hapur. Të dyja të çojnë te i njëjti përfundim: një proces mbaron vetëm kur ekipi tjetër mund ta vazhdojë punën pa humbur informacionin, përgjegjësinë ose kohën.

Mjeti i kësaj eseje është i thjeshtë. Merr çdo pikë të operacionit tënd ku puna ndërron duar: nga një departament te tjetri, nga një turn te tjetri, nga brenda te një partner i jashtëm. Për secilën, bëj të njëjtat pesë pyetje.

Nëse për një pikë nuk u përgjigjesh dot të pestave, ke gjetur vendin ku gabimet do të vazhdojnë të humbasin.

Kontrolli i kalimit

0/5

A e provove?

Nëse provove diçka nga kjo ese në turnin tënd, më thuaj çfarë ndodhi. Përgjigjet që u ndihmojnë të tjerëve botohen nën ese, të anonimizuara.