Në këtë ese
  1. Privatisht, pasi i ke kuptuar faktet
  2. Gabim i personit apo gabim i procesit
  3. Kërkues, por pa poshtëruar
  4. Kur flet me kolegët e djeshëm
  5. Çfarë ndihmon pas një gabimi
  6. Pesë hapa për bisedën

Një gabim duhet të na çojë te dy pyetje: çfarë nuk funksionoi në proces, dhe çfarë përgjegjësie kishte personi që e bëri punën?

Nëse shohim vetëm personin, rrezikojmë të lëmë të paprekur një proces që do ta prodhojë sërish të njëjtin problem.

Nëse shohim vetëm procesin, rrezikojmë t'ua heqim përgjegjësinë vendimeve individuale.

Biseda pas një gabimi është çasti kur një menaxher e ushtron autoritetin mbi njerëzit më drejtpërdrejt se në çdo rast tjetër. Të kërkosh llogari dhe të respektosh dinjitetin e punonjësit, për mua, nuk janë dy gjëra që përjashtojnë njëra-tjetrën.

Kam punuar në miljen e fundit si Team Leader On Road dhe më pas si Area Manager, ku ndjekja e performancës, problemet operative, KPI-të dhe koordinimi i njerëzve ishin pjesë e punës. Nga aty e shoh këtë bisedë.

Privatisht, pasi i ke kuptuar faktet

Si parim, bisedën korrigjuese do ta bëja më mirë privatisht, dhe vetëm pasi t'i kisha kuptuar faktet.

Ka një përjashtim të qartë. Nëse ka rrezik të menjëhershëm për sigurinë, ndërhyn në atë çast. Ndal atë që po ndodh, aty për aty. Biseda e duhur në vendin e duhur vjen më pas.

Gabim i personit apo gabim i procesit

Për mua, kjo është pyetja që një menaxher duhet ta bëjë përpara se të gjykojë dikë. Kur një punonjës gabon, fillimisht dua të kuptoj:

  • A e njihte standardin?
  • A ishte trajnuar, dhe a e kishte kuptuar?
  • A kishte mjetet, informacionin dhe kohën e nevojshme?
  • A ishte udhëzimi i qartë, apo linte vend për interpretime?
  • A mori një vendim të gabuar edhe pse i kishte kushtet për të vepruar saktë?

Nëse dikush nuk është trajnuar siç duhet, nuk mund ta trajtoj automatikisht gabimin e tij si neglizhencë. Kjo lidhet drejtpërdrejt me atë që shkrova te “Shiko si e bëj unë” nuk është trajnim.

Nëse standardi ishte i qartë, trajnimi ishte bërë dhe personi i kishte kushtet për ta ndjekur, atëherë duhet folur edhe për përgjegjësinë individuale.

Dhe ka edhe një mundësi të tretë: procesi mund të ketë dobësi dhe njëkohësisht punonjësi mund të ketë marrë një vendim të gabuar. Atëherë duhen korrigjuar të dyja. Menaxhimi i mirë kërkon t'i shohësh të dyja, pa kërkuar fajtor me çdo kusht dhe pa e fshehur përgjegjësinë kur ajo ekziston.

Kërkues, por pa poshtëruar

Ka gjëra që nuk do t'i bëja kurrë në një bisedë të tillë. Nuk do ta përdorja gabimin e dikujt për ta poshtëruar para ekipit. Nuk do t'i bërtisja një punonjësi për të treguar autoritet. Nuk do ta quaja të paaftë sepse gaboi. Dhe nuk do të merrja vendim disiplinor pa dëgjuar shpjegimin e tij dhe pa i verifikuar faktet.

Kjo nuk do të thotë që çdo gabim të justifikohet. Nëse dikush ka shkelur me vetëdije një rregull sigurie, ka vepruar përtej autoritetit të vet ose vazhdon të mos respektojë një standard të qartë, përgjegjësia duhet trajtuar seriozisht dhe sipas procedurave përkatëse.

Presioni mund të jetë i drejtë. Poshtërimi jo.

Një menaxher mund të jetë kërkues, i vendosur dhe shumë i qartë, pa e cenuar dinjitetin e personit që ka përballë.

Kur flet me kolegët e djeshëm

Në janar 2025 fillova si Team Leader On Road, dhe disa muaj më vonë u bëra Area Manager. Në atë rol më raportonin drejtpërdrejt katër drejtues turni dhe tetë dispeçerë, ndërsa operacioni përfshinte në mënyrë indirekte rreth 250 shoferë. Për këtë kalim kam shkruar më gjatë te Të drejtosh njerëzit pa humbur njeriun.

Mendimi im është se promovimi nuk duhet ta kthejë autoritetin në demonstrim force. Kur bëhesh përgjegjës për njerëz me të cilët dikur punoje krah për krah, duhet të jesh i qartë për pritshmëritë dhe i drejtë në vendime, dhe të mos e përdorësh pozicionin për të treguar kush komandon.

Autoriteti formal të jep të drejtën për të marrë vendime. Besimi ndërtohet nga mënyra si i merr ato.

Askund kjo nuk ka më shumë rëndësi se në bisedën pas një gabimi. Është çasti kur njerëzit shohin më qartë si e përdor pozicionin.

Çfarë ndihmon pas një gabimi

Besoj se reagimi më i dobishëm pas një gabimi është ai që të ndihmon të kuptosh çfarë ndodhi, çfarë përgjegjësie ke dhe si të mos e përsëritësh. Kjo nuk arrihet duke e lënë njeriun vetëm me ndjenjën e fajit, e as duke e kaluar gabimin sikur të mos kishte ndodhur.

Le të marrim një shembull hipotetik. Një shofer niset pa e kontrolluar një hap të procedurës. Një bisedë që nis me “gjithmonë kështu bën” mbaron para se të fillojë. Një bisedë që nis me “sot u nise pa këtë kontroll; më trego si shkoi” ka ku të shkojë. Në të dyja rastet gabimi emërtohet. Dallimi është nëse personi mund të mësojë diçka prej tij.

Pesë hapa për bisedën

Kjo është struktura që do të propozoja. Mund ta përdorësh gjatë një bisede të vërtetë, ose ta plotësosh më parë për t'u përgatitur.

  1. Përshkruaj faktin. Çfarë ndodhi realisht, pa etiketa personale dhe pa supozime.
  2. Dëgjo shpjegimin. Çfarë pa, dinte dhe kuptoi punonjësi në atë moment.
  3. Kontrollo procesin. A ishin të qarta standardi, trajnimi, mjetet dhe kushtet.
  4. Qartëso përgjegjësinë. Cila pjesë e gabimit ishte brenda kontrollit të personit.
  5. Përcakto bashkë veprimin. Çfarë ndryshon, kush e bën dhe kur kontrollohet rezultati.

Rendi ka rëndësi. Nëse fillon nga hapi i katërt, ke gjykuar para se të dëgjosh. Nëse ndalesh te hapi i tretë, ke kuptuar procesin, por e ke lënë personin jashtë.

Fleta është një udhërrëfyes për bisedën dhe nuk zëvendëson procedurën disiplinore: për shkeljet serioze ndiqen procedurat e sigurisë dhe të HR-së, si dhe politikat e organizatës.

Prova vjen më vonë, ditën kur kontrollohet veprimi i rënë dakord. Atëherë shihet nëse punonjësi doli nga biseda duke ditur çfarë duhej të bënte ndryshe, apo vetëm me frikë nga gabimi i radhës.

Fleta e bisedës korrigjuese

0/5

Shabllon orientues. Për shkeljet serioze ndiqen procedurat e sigurisë, HR-së dhe politikat e organizatës.

A e provove?

Nëse provove diçka nga kjo ese në turnin tënd, më thuaj çfarë ndodhi. Përgjigjet që u ndihmojnë të tjerëve botohen nën ese, të anonimizuara.