Në këtë ese
  1. Në miljen e fundit: numrat dhe arsyet e tyre
  2. Informacion apo drejtim
  3. Në hotel: nata nuk fillon kurrë nga zero
  4. Dorëzimi i turnit dhe briefing-u kanë punë të ndryshme
  5. Një shabllon për 10 minuta

“Vonesat janë 2,8%.”

Këtë fjali mund ta dëgjosh në çdo briefing. Është e saktë dhe ndoshta edhe e rëndësishme. Por nëse thua vetëm numrin, turni fillon dhe askush nuk e di çfarë duhet bërë ndryshe, ke dhënë informacion, jo drejtim.

Në ato pak minuta para se të fillojë puna fshihet ndoshta mjeti më i lirë i menaxhimit. Briefing-u i turnit, udhëzimi i shkurtër para punës, nuk kërkon as sistem, as buxhet, as projekt. Mjafton dikush që di çfarë duhet thënë dhe çfarë duhet lënë jashtë. E kam parë nga dy anë: në miljen e fundit dhe në hotel.

Në miljen e fundit: numrat dhe arsyet e tyre

Në miljen e fundit, takimet e shkurtra të përditshme të mëngjesit lidheshin ngushtë me operacionin e ditës dhe me KPI-të. Ndër temat ishin:

  • dëmet, porositë e paplota, vonesat dhe koha e ngarkimit (Damage %, Incomplete %, Delay %, Loading Time);
  • arsyet kryesore të vonesave;
  • 5S dhe disiplina në rampë;
  • kush përgjigjet për cilin skaner;
  • stivimi i sigurt;
  • SOP-të dhe QA-ja;
  • ndjekja me DSP-të, partnerët e dorëzimit;
  • kontrolli i zinxhirit të ftohtë;
  • koordinimi mes Last Mile dhe Outbound.

Pra takimi i mëngjesit ishte më shumë se “si shkoi dje”: kishte numra, arsye dhe pika që duheshin korrigjuar.

Vlerën e kishte kur briefing-u lidhej me diçka që njerëzit do ta hasnin menjëherë në turn. Nëse problemi ishin vonesat, përqindja ishte vetëm fillimi; duhej parë pse po ndodhte. Nëse shkaku qëndronte te ngarkimi, te stivimi, te performanca e shoferëve ose te një hap i procesit, briefing-u i jepte ekipit një gjë për të ndjekur gjatë punës.

Briefing-u ka kuptim kur një KPI kthehet në një sjellje ose në një veprim që ekipi e sheh. Kështu doja ta shihja takimin e mëngjesit: KPI-të, 5 pyetjet “pse”, Pareto, 5S dhe sigurinë, secilën të lidhur me ndikimin e saj në operacion. Është e njëjta ide si te KPI-të nuk përmirësohen në Excel, vetëm se këtu ke 10 minuta për ta bërë.

Informacion apo drejtim

Një briefing e humbet vlerën kur mbetet te numrat. Nëse thua “Vonesat janë 2,8%”, turni fillon dhe askush nuk e di çfarë duhet bërë ndryshe, numri ka kaluar nga raporti te ekipi pa ndryshuar asgjë gjatë rrugës.

Dallimi është i vogël në fjalë dhe i madh në efekt:

  • Informacion: Vonesat janë 2,8%.
  • Drejtim: Vonesat janë 2,8%. Arsyeja kryesore që po shohim është [arsyeja]. Sot, gjatë punës, të gjithë ndjekim [një gjë konkrete].

Versioni i dytë zgjat dhjetë sekonda më shumë, por vetëm atë ekipi mund ta marrë me vete në turn.

Në hotel: nata nuk fillon kurrë nga zero

Në hotel njihja më shumë dorëzimin e turnit sesa një briefing klasik 10-minutësh: një Front Office Daily Stand-Up dhe një fletë dorëzimi që lidhte turnin e natës, të mëngjesit dhe të pasdites. Turni i natës fillonte me atë që dorëzonte turni i pasdites dhe mbyllej me atë që i kalonte turnit të mëngjesit. Puna nuk fillonte kurrë nga zero: kishte pika të hapura, raste që duheshin ndjekur, probleme teknike, çështje me mysafirët, pagesa ose çështje operative që duhej të vazhdonin.

Dorëzimi i turnit përfshinte mbërritjet, ankesat, çështjet e faturimit dhe të pagesave, VIP-at, problemet teknike, marrëveshjet e veçanta dhe detyrat për t'u ndjekur. Në fletën e Daily Stand-Up-it të Front Office-it shënoheshin gjithashtu nisjet, zënia e dhomave, mysafirët që nuk u paraqitën, rastet e hapura, ndërrimet e dhomave, traces dhe çështje të tjera operative.

Pse ky kalim nënvlerësohet kaq shumë e kam shpjeguar më gjatë te eseja për dorëzimin e turnit. Këtu më intereson diçka tjetër: çfarë ndodh me gjithë këtë informacion në minutat e para të turnit.

Dorëzimi i turnit dhe briefing-u kanë punë të ndryshme

Dorëzimi i turnit të tregon çfarë gjendjeje po trashëgon. Briefing-u vendos çfarë ka rëndësi tani.

Dorëzimi i turnit duhet të jetë i plotë; briefing-u duhet të zgjedhë. Nëse briefing-u kthehet në lexim me zë të dorëzimit, ekipi dëgjon gjithçka dhe nuk e di çfarë të mbajë mend.

Prandaj një briefing i mirë para turnit duhet të nisë aty ku mbaron dorëzimi i turnit:

  • Çfarë morëm?
  • Çfarë ka ndryshuar?
  • Çfarë ka përparësi?
  • Kush duhet ta dijë?
  • Çfarë nuk duhet të humbasë gjatë turnit?

10 minuta para turnit nuk janë për të treguar gjithçka që dimë. Janë për të vendosur çfarë duhet të dijë ekipi para se puna të fillojë.

Dorëzimi të thotë çfarë trashëgon. Briefing-u vendos çfarë ka rëndësi tani.

  1. 01DorëzimiI plotë: gjendja, pikat e hapura, rastet që presin ndjekjegjithçka
  2. 02Briefing-uSelektiv: çfarë ndryshoi, ku është rreziku, dy ose tri prioritete, secili me një emërdhjetë minuta
  3. 03Ora e parëPyet një person: cilat janë dy prioritetet e sotme?testi
Nëse briefing-u e lexon dorëzimin me zë, ekipi dëgjon gjithçka dhe nuk mban asgjë.

Një shabllon për 10 minuta

Ja shablloni që do të propozoja sot. Pesë pyetje, rreth dy minuta secila, i japin bisedës radhën; askush nuk plotëson formular.

1. Çfarë po trashëgojmë? Gjendja nga turni i mëparshëm ose nga dita e djeshme: pikat e hapura dhe rastet që presin ndjekje. Burimi është dorëzimi i shkruar i turnit.

2. Çfarë ka ndryshuar? Vetëm ndryshimet që e prekin këtë turn: volumi, një proces, një sistem, ekipi.

3. Ku është rreziku sot? Aty ku ka më shumë gjasa që diçka të shkojë keq: një KPI që po bie dhe arsyeja e saj, një pikë e hapur me afat, një problem teknik.

4. Cilat janë 2–3 prioritetet? Jo dhjetë. Secili thuhet si veprim që ekipi e sheh gjatë punës.

5. Kush mban çfarë? Çdo prioritet dhe çdo pikë e hapur me një emër. Një detyrë pa zot është shumë afër një detyre që s'do ta bëjë askush.

Çfarë nuk hyn në briefing: historia e plotë e së djeshmes, numrat pa arsye dhe diskutimet që kërkojnë më shumë se një minutë. Ato shënohen dhe trajtohen pas briefing-ut, me njerëzit që duhen.

Si e kupton që funksionoi: pas briefing-ut, pyet një njeri nga ekipi cilat janë dy prioritetet e sotme. Nëse nuk i thotë dot, ekipi mori informacionin, por jo drejtimin.

Pastaj shiko orën e parë të turnit. Aty matet një briefing i mirë: nga ajo që ekipi bën ndryshe, jo nga sa gjëra u thanë.

Briefing-u dhjetëminutësh

0/5

Pesë pyetje, rreth dy minuta secila. Radha e bisedës, jo një formular.

A e provove?

Nëse provove diçka nga kjo ese në turnin tënd, më thuaj çfarë ndodhi. Përgjigjet që u ndihmojnë të tjerëve botohen nën ese, të anonimizuara.