Në këtë ese
  1. Një numër pa histori
  2. Dy gabimet e kundërta
  3. Kur ndërhyn menjëherë
  4. Volumi, moti dhe procesi
  5. Tri shtresa

2,8%.

Kaq ishin vonesat (Delay) në një raport të qershorit 2025. Një ditë e keqe, apo shenjë se diçka kishte ndryshuar në proces? Vetëm numri nuk ta thotë.

Në miljen e fundit ndiqnim çdo ditë vonesat, dëmet, porositë e paplota dhe kohën e ngarkimit. Rezultatet i diskutonim në takimin e shkurtër të përditshëm, çdo devijim duhej shpjeguar dhe shifrat i analizonim edhe sipas DSP-ve dhe sipas problemeve operative.

Një numër pa histori

2,8% më vete thotë pak. Krahasuar me çfarë?

Le të marrim një shembull të shpikur. Supozojmë se mesatarja e javëve të fundit ishte 2,5%. A është 2,8% sinjal?

Varet. Çdo proces luhatet. Asnjë ditë nuk del njësoj si tjetra, edhe kur askush nuk ka ndryshuar asgjë: ndryshon volumi, ndryshojnë njerëzit, ndryshojnë rrugët. Shumë ditë do të jenë më keq se mesatarja. Rëndësi ka nëse dita e sotme del më keq nga sa luhatet zakonisht ky proces.

Mbi këtë ide ngrihet karta e kontrollit. Ajo i vendos ditët njëra pas tjetrës, bashkë me mesataren dhe me dy kufij që tregojnë sa larg luhatet zakonisht procesi. Një ditë brenda kufijve ka shumë gjasa të jetë luhatje e zakonshme. Një ditë jashtë tyre, ose disa ditë me radhë në të njëjtën anë të mesatares, tregon se diçka mund të ketë ndryshuar.

Më poshtë është mënyra si do ta lexoja sot një ditë të keqe.

Dy gabimet e kundërta

Për mendimin tim, një ditë e keqe mund të keqlexohet në dy mënyra të kundërta.

Gabimi i parë e trajton çdo ditë të keqe si problem. Ndryshohet një rregull, shtohet një kontroll, thirret një mbledhje. Të nesërmen numri kthehet në normë dhe duket sikur masa dha efekt. Por ndoshta do të ishte kthyer vetë, dhe tani procesi ka një rregull më shumë, që askush nuk e di pse ekziston.

Nëse ndryshojmë rregullat pas çdo luhatjeje, rrezikojmë të krijojmë më shumë paqëndrueshmëri sesa përmirësim.

Gabimi i dytë është e kundërta. Asnjë ditë nuk duket aq e keqe sa të reagosh, sepse secila është vetëm pak më keq se e djeshmja. Numri ngjitet ngadalë dhe askush nuk e vë re, sepse askush nuk i shikon ditët bashkë.

Karta e kontrollit ndihmon në të dyja rastet. Të qetëson kur dita mbetet brenda luhatjes së zakonshme, dhe të zgjon kur disa ditë me radhë shkojnë në të njëjtin drejtim, edhe pse asnjëra prej tyre nuk duket alarmante më vete.

Kur ndërhyn menjëherë

Kjo nuk do të thotë të presësh çdo herë statistikën. Një menaxher duhet të dijë kur të ndërhyjë menjëherë dhe kur të mbledhë më shumë informacion.

Një ditë me shumë vonesa meriton vëmendje, por jo çdo devijim kërkon një procedurë të re. Këshilla ime do të ishte të mos ngatërrosh një rezultat të keq me provën se procesi ka ndryshuar, dhe të kontrollosh tri gjëra.

E para: a ka një problem të menjëhershëm sigurie ose shërbimi? Nëse po, ndërhyn tani. Një klient që pret ose një rrezik në rampë nuk presin derisa të mblidhen pesë pika në grafik.

E dyta: a është rezultati përjashtim apo pjesë e një tendence?

E treta: a e kemi gjetur një shkak konkret para se të ndryshojmë procesin?

Volumi, moti dhe procesi

Në miljen e fundit ndiqnim shkaqe operative: çanta që mungonin, karroca të përziera, vonesa në përgatitje, probleme gjatë ngarkimit.

Sot, para se të përcaktoja shkakun, do ta krahasoja rezultatin me volumin e punës, me kushtet e ditës dhe me të dhënat e ditëve të mëparshme. 2,8% vonesa në një ditë me volum të jashtëzakonshëm nuk do të thotë e njëjta gjë si 2,8% në një ditë të zakonshme.

Tre shtresa nën një numër

  1. 01
    KPI-jaÇfarë ndodhi: Delay 2,8% sot.
  2. 02
    TrendiA po ndryshon diçka? Dita e sotme pranë dhjetë ditëve të fundit: një përjashtim, apo disa ditë në të njëjtin drejtim.
  3. 03
    ProcesiÇfarë të bësh: një shkak konkret, i gjetur para se të ndryshohet rregulli.
Një ditë e keqe është sinjal për të kontrolluar. Nuk është automatikisht provë që i gjithë procesi duhet të ndryshojë.

Tri shtresa

KPI-ja tregon çfarë ndodhi. Trendi ndihmon të kuptojmë nëse po ndryshon diçka. Analiza e procesit na ndihmon të vendosim çfarë duhet bërë.

Shumë operacione kalojnë drejt e nga shtresa e parë te e treta: numri del keq dhe menjëherë kërkohet një masë. Shtresa e mesme, ajo që tregon nëse kjo ditë ndryshon nga të tjerat, është ajo që mungon më shpesh.

Sigma dhe karta e kontrollit e vizaton shtresën e mesme për ditët ose javët e tua dhe shpjegon çfarë është sinjal e çfarë jo. Para se të ndryshosh një rregull, plotëso fletën më poshtë dhe kopjoje.

Para se të ndryshosh procesin

0/4

Si do ta bëja sot.

A e provove?

Nëse provove diçka nga kjo ese në turnin tënd, më thuaj çfarë ndodhi. Përgjigjet që u ndihmojnë të tjerëve botohen nën ese, të anonimizuara.