Lexohet nga një zë i shfletuesit tënd. Kjo faqe nuk regjistron dhe nuk dërgon asgjë.
Ka një skenë që përsëritet çdo ditë në prapaskenën e bizneseve shqiptare, një moment i vogël në dukje, por me pasoja shkatërruese për moralin e një ekipi.
Ndodh në çastin kur menaxheri i kërkon një punonjësi të respektojë orarin, të mbyllë një proces sipas standardit apo të marrë përgjegjësi për një gabim të përsëritur. Në vend të përgjigjes profesionale, punonjësi buzëqesh me ironi. Ai nuk lodhet të debatojë. Ai thjesht kthen shpinën, kapërcen korridorin dhe shkon drejt e në zyrën e pronarit.
Dhe çfarë bën pronari? Në vend që të forcojë hallkën që ka vënë vetë për të drejtuar punën, ai bën atë që e dëmton biznesin më shumë se çdo humbje financiare: mban anën e atij që theu rregullin. Menaxheri mbetet i vetëm në mes të sallës, i zhveshur nga çdo autoritet, ndërsa në mendjen e pronarit qarkullon llogaria e tij e fshehtë dhe cinike: Pesëqind e pesëdhjetë mijë lekë të vjetra po e mbaj me bukë. I kam dhënë punë të mirë, me këmishë e pa pluhur, prandaj le të ulë kokën dhe të bindet.
Më lejoni të jem i prerë për këtë absurditet. Kur një pronar poshtëron menaxherin e tij për të kënaqur tekat e atij që nuk bën punën, ai nuk ka shpëtuar një njeri; ai ka vrarë sistemin.
Le ta shohim me gjakftohtësi këtë mekanizëm.
Pse e bën këtë një punëdhënës? Sepse shumë prej tyre kanë një koncept të shtrembëruar mbi pushtetin. Ata nuk duan një strukturë funksionale, sepse struktura kërkon rregulla që kufizojnë edhe vullnetin e tyre të çastit. Ata duan që çdo fije e biznesit të kalojë nga gishti i tyre. Duke lejuar që punonjësi të kapërcejë menaxherin dhe të vijë për të qarë hallet apo për të bërë thashetheme direkt në zyrën qendrore, pronari ushqen egon e tij si gjykatës suprem, si ati i madh i shtëpisë që ndan të drejtën me mëshirë.
Ai mendon se po mbron të dobëtin. Por në të vërtetë, ai po shpërblen mediokritetin.
Kur më i paafti e kupton se për të shpëtuar nga llogaridhënia nuk i duhet rezultati, por i mjafton një lidhje e fshehtë me zyrën lart, dita e tij e punës ndryshon fokus. Ai nuk përpiqet më të mësojë zanatin, të ulë gabimet apo të ndihmojë kolegët. Ai bëhet mjeshtër i viktimizimit dhe intrigës. Ai e di se mjafton të thotë dy fjalë kundër menaxherit për të fituar imunitet.
Dhe çfarë i ndodh ndërkohë menaxherit në këtë mes?
Atij i është dhënë përgjegjësia pa i dhënë pushtetin. I kërkohet të garantojë shifrat, të mbajë nën kontroll koston, të plotësojë kuotat dhe të nxjerrë turnin pa të meta, por i hiqet mjeti i vetëm me të cilin mund të vendoset rregulli: autoriteti moral dhe vendimmarrës. Kur stafi sheh se fjala e drejtuesit direkt hidhet në kosh sapo ndërhyn pronari, ai menaxher shndërrohet në një figurë qesharake. Ai kthehet në një personazh që rri aty thjesht për të firmosur fletët e dëmtimit dhe për të ngrënë sharjet e radhës.
Dhe kur ky menaxher kërkon dinjitet, i kujtohet rroga. Pesëqind e pesëdhjetë mijë lekë. Në sytë e pronarit, kjo shumë nuk është pagesë për ekspertizën, stresin dhe orët e pagjuma të një njeriu që mban përgjegjësi; ajo konsiderohet si pagesë për heshtjen e tij. Është iluzioni se duke i dhënë një titull në letër dhe një zyrë me tavolinë, i ke blerë të drejtën për të pasur shtyllë kurrizore.
Kjo mendësi është vetëvrasje për çdo biznes.
Profesionistët e vërtetë nuk qëndrojnë gjatë në një ambient ku fjala e tyre zhvlerësohet brenda minutës. Ata mund të durojnë lodhjen fizike, mund të durojnë netët e gjata pa gjumë, por nuk pranojnë dot të kthehen në kukulla pa zë. Prandaj, ata që kanë dije dhe karakter largohen të parët. Dhe pronarit i mbeten vetëm dy kategori njerëzish: menaxherë servilë që nuk vendosin dot asgjë vetë, dhe punonjës pa interes që punojnë vetëm aq sa për të mos u pushuar.
Një lider i vërtetë e kupton një parim themelor: Nëse ke vendosur dikë në krye të një ekipi, ose jepi besimin dhe mbësht
Nuk mund të kesh edhe organizatë moderne, edhe derë të pasme për thashetheme. Nuk mund të kërkosh disiplinë në terren, kur vetë me dorën tënde e thyen atë disiplinë sa herë që të vjen dikush duke u ankuar.
Bizneset shqiptare do të rriten vetëm atëherë kur të heqin dorë nga kjo lojë primitive intrigash. Derisa ajo ditë të vijë, pronarët do të vazhdojnë të ankohen se janë të mbytur në punë, se nuk i lë njeri të marrin frymë dhe se pa ta asgjë nuk ecën përpara, duke mos e kuptuar se atë burg të lodhshëm e kanë ndërtuar me duart e tyre, tullë pas tulle, sa herë që i hoqën menaxherit nderin për të ushqyer paaftësinë.
A e provove?
Nëse provove diçka nga kjo ese në turnin tënd, më thuaj çfarë ndodhi. Përgjigjet që u ndihmojnë të tjerëve botohen nën ese, të anonimizuara.
