Lexohet nga një zë i shfletuesit tënd. Kjo faqe nuk regjistron dhe nuk dërgon asgjë.
Treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditë.
Janë dymbëdhjetë muaj zgjime para zbardhjes së dritës, rrugë të gjata në shi dhe në të ftohtë, turne të vështira ku sistemi ka ngecur dhe ti e ke nxjerrë punën në breg me mish e me shpirt. Janë qindra orë ku ke gëlltitur nervat për të mos prishur shërbimin ndaj klientit, ditë kur ke lënë mënjanë sëmundjen apo familjen vetëm që operacioni të mos ndalonte. Me pak fjalë: ke dhënë një vit të plotë nga e vetmja jetë që ke në këtë botë.
Dhe kur vjen fundi i këtij rrugëtimi të gjatë, ulesh në zyrë për të diskutuar të ardhmen.
Përballë teje qëndron drejtuesi me një fytyrë të rëndë, pothuajse solemne. Ai të flet gjatë për vështirësitë globale, për inflacionin, për tregun e paqëndrueshëm dhe për sakrificën që duhet të bëjnë të gjithë. Dhe pastaj, me tonin e një njeriu që po të dorëzon çelësat e thesarit, vjen propozimi i madh: një rritje prej tridhjetë mijë lekësh të vjetra në muaj.
Por nuk mbaron këtu. Sepse kjo shumë qesharake shoqërohet gjithmonë me kushtin e artë të hipokrizisë korporative: Nëse e lejon buxheti. Nëse kompania del mirë këtë tremujor.
Më lejoni të jem krejtësisht i qartë. Tridhj
Le ta bëjmë llogarinë ashtu siç është, pa asnjë zbukurim. Tridhjetë mijë lekë të vjetra janë një mijë lekë në ditë pune. Nuk mjaftojnë as për të mbuluar rritjen e çmimit të vajit, vezëve dhe bukës gjatë atij viti që lamë pas. Është një shumë aq e papërfillshme, saqë nuk arrin as të mbajë ritmin me zhvlerësimin e parave në xhepin tënd. Në fakt, kur një kompani të rrit rrogën me tridhjetë mijë lekë pas një viti pune të pandërprerë, ti në të vërtetë je më i varfër se ditën e parë që hyre në atë derë.
Dhe paturpësia më e madhe qëndron te fjala: buxheti.
Kjo është gënjeshtra universale që përdoret sa herë që duhet paguar djersa e punëtorit. Kompania papritur nuk paska buxhet për të paguar njerëzit që mbajnë në këmbë shitjet, transportin apo shërbimin. Por po e njëjta kompani gjen gjithmonë buxhet për të ndërruar makinën e administratorit me modelin më të fundit. Gjen buxhet për dreka luksoze të bordit, për zyra me mobilim të ri dhe për fatura që shlyhen pa pyetur fare për krizën e tregut.
Buxh
Ky lloj trajtimi prodhon një dëm shumë më të thellë se sa thjesht zhgënjimi financiar. Ai vret besimin. Sepse në atë çast, çdo punonjës e kupton se premtimet për karrierë, për vlerësim dhe për rritje të përbashkët ishin thjesht përralla për të blerë kohë. I kërkohet përkushtim maksimal, fleksibilitet pa orar dhe dashuri për kompaninë, por kur vjen puna për ta shpërblyer, kompania i sillet si një matrapaz që numëron qindarkat e mbetura në fund të xhepit.
Unë e di mirë se çfarë mendon ai punonjës teksa del nga ajo zyrë me letrën e rritjes në dorë. Ai nuk ndihet i vlerësuar; ai ndihet i vjedhur. Ndihet sikur dikush i ka marrë një vit të plotë nga jeta, rininë dhe energjinë e tij, dhe në këmbim i ka hedhur disa thërrime mbi tavolinë, duke i kërkuar madje të thotë edhe "faleminderit".
Dhe pastaj, pas gjashtë muajsh, kur ky punonjës gjen një mundësi tjetër dhe e lë vendin e punës bosh, po këta drejtues bëjnë të habiturin. Mblidhen sërish nëpër zyra dhe pyesin me naivitet të shtirë: Pse iku? Ne sapo ia rritëm rrogën.
Ata nuk e kuptojnë, ose bëjnë sikur nuk e kuptojnë, se njerëzit nuk jetojnë me iluzione dhe as me thërrime të kushtëzuara nga mëshira e një buxheti të fshehtë.
Lidershipi i vërtetë e di se investimi më i sigurt dhe më i ndershëm i një biznesi është dinjiteti i njeriut që punon. Nëse një biznes nuk arrin dot të paguajë vlerën reale të mundit pas një viti pune, ai biznes nuk ka problem me tregun; ai ka problem me moralin. Dhe kushdo që mendon se mund të blejë të ardhmen e një kompanie duke poshtëruar mundin e njerëzve të vet me tridhjetë mijë lekë të vjetra, shumë shpejt do të mbetet i vetëm, me buxhetin e tij të paprekur në letër, por pa asnjë krah pune për ta kthyer atë letër në realitet.
A e provove?
Nëse provove diçka nga kjo ese në turnin tënd, më thuaj çfarë ndodhi. Përgjigjet që u ndihmojnë të tjerëve botohen nën ese, të anonimizuara.
